Gazetari: Këto 24 orë si i kaloi Zani në lirim?
Zani: Qetë fare me miqtë e mi me shokët e mi, kishin ardhur dhe shokë të tjerë edhe nga jashtë shtetit nga shumë shtete të Europës. Kalova ditën e djeshme dhe pothuajse gjithë natën në Durrës, ndodhesha mes gjithë miqve të mi. Sot në mëngjes u ktheva rreth ores 9 e 30 minuta në lagjen time.
Gazetari: Si e priti Zani vendimin dhe a e prisnit ju që të liroheshit nga salla e gjyqit?
Zani: Po e dija që isha i pafajshëm. Ishin të gjitha të sajuara nga njerëz që për interesa personale për të mbushur xhepat e tyre me dollarë, përdorin një njeri të ndershëm e përdorin si mund ta them se s'mar shumë. vesh nga politika, jam injorant në fushën e politikës, më quajtën kryekriminel, kryebandit. Shumë njerëz të pafajshëm që ndodhen akoma sot e kësaj dite në burg mbahen padrejtësisht në burg që unë i kam njohur vetëm në burg, i akuzonin për vrasje, për rrëmbime në bashkëpunim me mua sigurisht, edhe nuk e di në krahun tjetër akuzohet
Prokurori si prokuror politik e shumë e shumë gjëra.
Gazetari: Për Prokurorin tuaj Xhevat Hana?
Zani: Po, po zotin Xhevat Hana për të cilin kam shumë respekt jo se më dha u tërhoq nga akuza për mua se me thënë të drejtën frikë nuk kam as nga burgu as nga njeri.
Gazetari: Për lirimin tuaj u bënë shumë komente, më i fundit është ai i Ministrit të Drejtësisë, Thimio Kondi i cili e quajti të padrejtë ashtu si dhe Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi e quajti një lajthitje juridike pretencën e Prokurorit Xhevat Hana?
Zani: Unë zotin Hana nuk e njoh për të lajthitur siç është shprehur zoti Rakipi por do të them një gjë që kisha dëshirë që zoti Rakipi të ishte prokurori im i çeshtjes dhe zoti Ministër, zoti Kondi të ishte Kryetari i Gjykatës për gjyqin tim, do kisha shumë dëshirë të madhe.
Gazetari: Ju mendoni se vendimi do ishte i njëjtë?
Zani: Po. Bile më kanë dënuar padrejtesisht për armëmbajtje pa leje sepse nuk jam kapur as me armë kam qënë pa armë.
Gazetari: Ju jeni akuzuar gjatë kohës që keni qënë në burg, se keni lënë qelinë, keni shkuar deri në Itali, keni mbajtur lidhje me qeveritarë aktuale?
Zani: Këto nuk janë aspak të vërteta, këto janë sajime politike që u intereson politikanëve dhe se përdorin emrin tim si bandit, si kriminel.
Gazetari: Ju jeni një qytetar i lirë, me çfarë do të merret qytetari Myrteza Çaushi?
Zani: Dëshira ime është e madhe që të bëj shumë gjëra. Unë kam dëshirë që të ndihmoj gjithë të varfërit e kësaj lagje. Jo se vetë jam ndonjë i pasur.
Gazetari: Kur keni qënë në burg keni deklaruar se sapo të dilni ju do të merreni me peshkim.
Zani: Po unë, është hobi im peshkimi më pëlqen të shkoj të stërvitem jam marrë gjithë jetën me stërvitje, të kaloj kohën, të bëj gjëra të mira, dua të bëj gjëra të mira.
Gazetari: Ju thatë do të ndihmoj të varfërit e Vlorës dhe do të merreni me një sport si peshkimi, i cili për hobi siç thatë dhe ju, ushtrohet nga të pasurit. Faktikisht me çfarë pune konkrete do të merreni që ju të ndihmoni të varfërit e Vlorës?
Zani: Une do të siguroj nga shoqata bamirëse në Greqi kam disa miqtë e mi, do të siguroj ndihma siç i kam siguruar dhe në ‘97 kur këto ndihma kane qënë 180 milionë dhrahmi dhe u vodhën nga një drejtues i Policisë së Vlorës, poshtërsisht u morën këto pako.
Gazetari: Ju me anë të ndihmave të miqve tuaj tregtarë do ndihmoni lagjen?
Zani: Do ndihmoj më të varfërit.
Gazetari: Në Vlorë dëgjuam që do krijohet një shoqatë bamirëse e quajtur “Zani Caushi”, si është e vërteta?
Zani: Kjo shoqatë është e vërtetë që është krijuar faktikisht dhe pritet të aprovohet nga Ministria e Drejtësisë. Këta persona janë njerëz me shkollë të lartë, mbaruar shkollën në Rusi, ish oficera dhe kanë dëshirë që të vënë emrin e kësaj shoqate “Zani Çaushi”, për arsye bamirësie.
Gazetari: Ka frike Zani Çaushi?
Zani: Në botë s'kam pasur ndonjëherë frikë. Kam frikë vetëm Zotin.
Gazetari: Nga ju buron kjo siguri?
Zani: Sepse jam i sinqertë, jam i pastër, nuk i kam rënë kujt në qafë. Kush do mundohet që të më inkriminojë në çeshtje të më përdorin si ta them të më implikojnë në vrasje, e kanë të kotë, unë s'jam marrë me gjëra të tilla.
Gazetari: Ç'është vdekja per Zani Çaushin?
Zani: Siç është lindja ashtu është edhe vdekja. Siç lindim ashtu dhe do vdesim të gjithë.
Për më shumë klikoni në linkun https://tvklan.al/intervista-e-zani-caushit-pas-lirimit-nga-burgu-23-mars-1999/