Emisioni "Studio e Hapur" e Eni Vasilit ne News24 - 23 maj, 2017
Sali Berisha: Nuk e kisha menduar të votoja për Ramën. Marrëveshja, meritë edhe e tij
Sali Berisha nga studio e emisionit “Studio e Hapur” në “News 24” foli për herë të parë për marrëveshjen mes PS-PD. Përballë gazetarëve Eni Vasili, Robert Rakipllari dhe Mentor Kikia, ish-kryeministri rrëfeu pse e votoi qeverinë e Ramës.
Sipas Berishës marrëveshja është në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Më tej, ai njohu edhe meritën e Edi Ramës në marrëveshjen e 18 majit, duke u shprehur se pavarësisht arsyeve që ai mori kthesë, në sferën personale kryeministri ka meritat e tij.
Votuat nismat e kabinetit Rama, e kishit menduar ndonjëherë këtë?
Jo nuk e kisha menduar. U ndjeva shumë i kënaqur se ishte kurorëzimi i një marrëveshjeje. Protesta ishte e rrallë, masive, qytetare, ia doli të imponojë marrëveshjen. Një marrëveshje shumë të mirë, pavarësisht komenteve, unë kam bindjen më të madhe se çdo shqiptar ka përfituar nga ajo marrëveshje.
I njihni ndonjë meritë Ramës që dorëzoi pushtet?
Padiskutim që arritja e marrëveshjes ishte një arritje e tij personale, jo politike. Ishte në fund të fundit ashtu si thonë francezë “Shpëto atë që mundesh”. Nuk hyri në histori me damkosjen si kryeministri i parë që bën zgjedhje si në monizëm. Në këtë aspekt ai mori kthesën dhe këtu ka një arritje personale, pasi shpëtoi nga humnera ku po ecte me shpejtësi.
Në rast se politikisht fitoi udhëheqësi i ‘çadrës së lirisë’, personalisht fitoi Edi Rama, i cili në momentin e fundit vendosi të merrte kthesë. A garantohen apo jo zgjedhje të lira kjo i mbetet fushatës. Kjo marrëveshje solli imponimin e ligjit. Ne kërkonim një kthesë për heqjen e drogës. Ne kërkonim garanci që ministri i Brendshëm i ngarkuar në këtë detyrë do t’i shpallte luftë drogës. Të paktën trafikantët nuk do të kishin ministrin me vete. Rama ka bërë një dëm të paimagjinueshëm. Saimirin e hoqi çadra.